Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë procesit zgjedhor ka identifikuar disa raste që lidhen me cenimin e fshehtësisë së votimit, pengimin e procesit zgjedhor, ndikimin në vullnetin e lirë të votuesve, si dhe një rast të dyshuar të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një rast i cenimit të fshehtësisë së votimit është shënuar në komunën e Gllogocit.
Rasti ka ndodhur rreth orës 14:30, ku një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se ka kryer këtë vepër penale. Me urdhër të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
“Gllogoc / 28.12.2025 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur. Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njofton Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
Një rast tjetër është regjistruar në Gjilan, ku një person është arrestuar pasi kishte plotësuar fletëvotimin dhe e kishte ekspozuar atë publikisht para se ta vendoste në kutinë e votimit.
“Gjilan / 28.12.2025 – 11:08. Lidhur me veprat e lartcekura është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se në qendrën e votimit pasi e kishte plotësuar fletën e votimit e kishte ekspozuar atë para se ta vendoste në kutinë e votimit. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton PK.
Po ashtu, në komunën e Ranillugut, Policia ka arrestuar një grua nën dyshimin se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve të tjera politike.
“Ranilluk / 26-27.12.2025 – NN. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak të dyshimit se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve tjera. E dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin policor.
Ndërkohë, një rast i dyshuar i falsifikimit të rezultateve të votimit është shënuar në Pejë, në ditën e zgjedhjeve më 28 dhjetor 2025, rreth orës 20:00.
“Pejë/ 28.12.2025 – 20:00. Është raportuar se në qendrën e votimit një fletëvotim kishte pasur vulën ndryshe nga fletëvotimet tjera të KQZ-së. Lidhur me rastin është informuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e veprës penale, fletëvotimi është sekuestruar. Rasti nën hetime”, njofton PK.
