Partia Guxo ka reaguar ndaj raportimeve për dorëheqje të shumta nga strukturat e saj në Deçan dhe Pejë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe tendencioze.
Në një komunikatë për publikun, thuhet se pretendimet për dorëheqje masive nuk pasqyrojnë realitetin dhe se kanë për qëllim krijimin e një perceptimi të gabuar në opinionin publik, njofton Dukagjini.
Sipas njoftimit, tre individë nga Peja që përmenden në këto raportime kanë paraqitur dorëheqje disa herë dhe, sipas partisë, tashmë kanë më shumë se një vit e gjysmë që nuk janë pjesë e aktiviteteve të saj.
“Është me rëndësi që qytetarët tanë ta dijnë se tre individët nga Peja, të cilët po përmenden në këto pretendime, kanë paraqitur dorëheqje plot shtatë herë deri më tani dhe ka më shumë se një vjet e gjysmë që janë larguar nga çdo aktivitet i Partisë Guxo. Ky, i sotmi, është një fakt që flet më shumë për seriozitetin e tyre sesa për gjendjen reale në strukturat tona”, thuhet në kumtesë.
Ndërkohë, lidhur me raportimet se kryesia e degës në Deçan ka braktisur partinë, Partia Guxo thotë se bëhet fjalë vetëm për tërheqjen e dy anëtarëve nga kjo degë.
“Faktet janë të qarta dhe mund të verifikohen lehtësisht”, thuhet në reagimin e partisë.
Po ashtu, partia bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim do të dalë me informacione më të detajuara për këto zhvillime dhe do të demantojë, siç thuhet, çdo dezinformatë që po qarkullon.
Në komunikatë thuhet gjithashtu se të hënën, më 16 mars, kryetarja e Partia Guxo do t’i paraqesë publikisht qëndrimet e plota të partisë lidhur me këto zhvillime dhe me, siç thuhet, përpjekjet për të deformuar realitetin politik.