Partitë në pritje të ftesës së Kurtit për presidentin, mund të ketë zgjedhje në prill

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në pritje të ftesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit Albin Kurti, për nisjen e konsultimeve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ani pse Kurti ka shtatë ditë që kishte paralajmëruar nisjen e konsultimeve me partitë parlamentare për zgjedhjen e shefit të shtetit, në këto dy parti thonë se deri tani nuk ka pasur takime formale mes subjekteve politike.

Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar se kur Kurti do t’i ftojë partitë për konsultime.

Partia e Kurtit ka pushtetin në vend, derisa mazhoranca e udhëhequr nga ai ka 66 deputetë në Kuvend.

Presidentja Vjosa Osmani ka mandat deri më 4 prill 2026, mirëpo sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit duhet të bëhet një muaj para përfundimit të mandatit, në këtë rast më 4 mars. Në të kundërtën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Presidentja Osmani është e vetmja deri tani që ka shfaqur ambicie për të rikandiduar edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar, megjithatë e njëjta nuk ka siguruar 30 nënshkrime të deputetëve për të zyrtarizuar kandidaturën e saj.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, thotë për KosovaPress, se subjekti i tij do të marrë pjesë në çdo takim që thirret për çështjen e presidentit, por ka theksuar se zgjedhja duhet të vijë si rezultat i një marrëveshjeje politike.

I pyetur nëse kanë votë për Vjosa Osmanin, Behrami tha se deri më tani nuk ka pasur kandidaturë zyrtare nga partitë që kanë fituar ulëse në Kuvend. Sipas tij, figura e presidentit apo presidentes duhet të jetë personifikim i unitetit të qytetarëve.

Në pritje të një ftese zyrtare janë edhe në LDK.

Deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit u takon të gjitha subjekteve parlamentare, por mënyra e arritjes së konsensusit duhet të jetë produkt i negociatave politike.

Ai ka konfirmuar se brenda LDK-së ende nuk ka një vendim për kandidat, përfshirë edhe Vjosa Osmanin.

Ndërkohë, politologu Melazim Koci vlerëson se vonesa në nisjen e konsultimeve mund të reflektojë në vështirësi gjatë procesit.

Ai nuk përjashton mundësinë që zgjedhja e presidentit të shndërrohet në pikë përplasjeje politike, madje as skenarin e zgjedhjeve të parakohshme në rast të mungesës së konsensusit.

“Këtu shoh probleme dhe nuk e përjashtoj mundësinë që Kosova, pas konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të Qeverisë, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për liferim të mjeteve nga BE-ja, të ketë probleme tek zgjedhja e presidentit apo presidentes dhe nuk e përjashtoj mundësinë që edhe të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nga mesi i prillit… Për momentin ne nuk kemi një emër, pos kandidaturës së Osmanit, e cila nuk ka ndonjë mbështetje në këtë rast të forcave politike, së paku publike, madje as të Vetëvendosjes, sepse nuk ka deklarim të VV-së as pro as kundër”, thotë ai./KP

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika