Një delegacion i organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias do të zhvillojë një mision dyditor faktmbledhës në Kosovë për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe sfidat me të cilat përballen gazetarët në vend.
Sipas një njoftimi të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), më 24 dhe 25 mars organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, së bashku me organizata të tjera ndërkombëtare, do të qëndrojnë në Prishtinë për të diskutuar me përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit të mediave mbi sfidat aktuale në sektor.
“Gjatë misionit, delegacioni do të trajtojë çështje si: presioni politik ndaj mediave; siguria e gazetarëve; kushtet e punës së gazetarëve; legjislacioni, përfshirë ligjin për media dhe amendamentet e propozuara; transmetuesi publik (RTK) dhe Komisioni i Pavarur i
Mediave (KPM); qasja e gazetarëve në informata publike; kërcënimet ligjore, përfshirë paditë abuzive (SLAPP) dhe propozimet për rikriminalizimin e shpifjes; si dhe transpozimi dhe zbatimi i Direktivës Evropiane kundër SLAPP, Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA).
Kryeministri Albin Kurti tashmë ka konfirmuar takimin me delegacionin. Delegacioni do të takohet gjithashtu me redaktorë dhe gazetarë, anëtarë të komisionit parlamentar për media, autoritete gjyqësore, përfaqësues të policisë, organe rregullatore dhe përfaqësues të Transmetuesit Publik (RTK).
Pas përfundimit të misionit dyditor, partnerët do të paraqesin gjetjet e tyre fillestare në një konferencë për media në Prishtinë më 25 mars 2026 dhe më pas do të publikojnë një raport për lirinë e medias, së bashku me një sërë rekomandimesh. Raporti do t’u shpërndahet organizatave relevante kombëtare dhe ndërkombëtare. Një mision i ngjashëm faktmbledhës në Kosovë ishte organizuar nga Platforma edhe në vitin 2022. Misioni mbështetet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në këtë mision marrin pjesë disa nga organizatat më të njohura ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit, përfshirë European Centre for Press and Media Freedom, European Federation of Journalists, Reporters Without Borders, International Press Institute, Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa, Association of European Journalists dhe Index on Censorship.
