Pas aktakuzës për sulmin në Ibër Lepenc, Fetoshi: BE-ja duhet të rishikojë urgjentisht qasjen ndaj Serbisë, t’i kërkohet llogari

Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi ka kërkuar që Bashkimi Evropian të rimendojë me urgjencë qasjen e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale lidhur me sulmin terrorist ndaj kanalit “Ibër Lepenc”.

Në një deklaratë për Telegrafin, Fetoshi theksoi se përfshirja e FBI-së në procesin hetimor ka eliminuar çdo dyshim mbi autorësinë e sulmit dhe lidhjen e tij me strukturat serbe të sigurisë.

“E para, përfshirja e FBI-së në hetime eliminon çdo hapësirë për dyshim lidhur me rezultatet dhe aktakuzën, pra ia mbyll gojën Serbisë dhe ia heq dilemat institucioneve ndërkombëtare, sa i përket autorësisë dhe ndërlidhjes së tyre me strukturat serbe të sigurisë. E dyta, rezultatet e ekspertizës së FBI-së konfirmojnë jo vetëm sulmin e organizuar terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe përgjegjësinë e drejtpërdrejt të Serbisë me spiunin e VBA-s, kolonelin Jovan Viçentijeviq dhe arsenalin e armëve, municionit dhe uniformave serbe e ruse të zëna gjatë bastisjes së tyre”, ka thënë Fetoshi.

Fetoshi tha se faktorët ndërkombëtarë nuk duhet të heshtin, sepse siç tha ai “një gjë e tillë do t’i jepte hapësirë tendencave mashtruese të Serbisë siç u mundua të bënte në këtë rast, dhe do të lexohej si inkurajim për sulme të tilla në të ardhmen”.

Drejtori i institutit Octopus potencoi se Bashkimi Evropian duhet ta rishikojë me urgjencë qasjen e gabuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar llogari nga Serbia për sulmet e tilla që minojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Një gjë është e sigurt: mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është shpërblim për taktikat hibride të Beogradit dhe Moskës”, tha Fetoshi.

Ndryshe, edhe analisti i sigurisë, Avni Islami në një prononcim për Telegrafin e cilësoi rastin e kanalit të Ibër Lepencit si një nga ngjarjet më të rënda pas agresionit të Banjskës.

“U bë një vit e pak ditë që më në fund u ngrit aktakuza ndaj tre të dyshuarve për rastin terrorist ku është goditur kanali Ibër-Lepenc. Ky akt konsiderohet si më i rëndi pas Banjskës. Në kohën e hetimeve, involvimi i FBI-së ishte paralajmëruar edhe nga Ambasada Amerikane”.

Islami thekson se aktakuza tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të njërit prej të akuzuarve, i cili figuron si pjesëtar i shërbimit inteligjent ushtarak serb.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika