Pas kërkesës së Listës Serbe, Vuçiq thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka caktuar mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Kjo pas kërkesës së Listës Serbe për takim urgjent lidhur me zbatimin e marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS

Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesit e Listës Serbe





Pas kërkesës së Listës Serbe për takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ky i fundit tashmë ka caktuar për të enjten e 27 tetorit mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur mediumi serb “Tanjug”, në njoftimin e të cilit thuhet se mbledhja do të nisë nga ora 10:00.

Ndryshe, Lista Serbe ka kërkuar takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me zbatimin e marrëveshjes për targat e automjeteve dhe kthimin e atyre ilegale në RKS.

Deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se nuk ka ndërruar mendje sa i përket kësaj çështjeje, Lista Serbe i ka quajtur si provokime.

“Në emër të serbëve nga Kosova dhe në lidhje me deklaratat e Albin Kurtit që nga 1 nëntori do të nisë konfiskimi i veturave të qytetarëve tanë me targa serbe, ne përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po kërkojmë takim urgjent me presidentin Aleksandër Vuçiq. Paralajmërimi i Kurtit për veprime të dhunshme ndaj qytetarëve tanë, veçanërisht atyre në veri të Kosovës provokojnë frikë dhe pasiguri dhe është e nevojshme të takohemi urgjentisht dhe të pajtohemi se si të ruhet paqja dhe siguria e qytetarëve, por edhe për interesat jetike të popullit tonë, pasi të gjithë e kanë të qartë se populli ynë nuk pajtohet me vendimet e njëanshme të Prishtinës që kanë synim të largojnë çdo gjë serbe nga këto territore”, ka shkruar Lista Serbe në Facebook.

Lista Serbe ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do që të gjejë kompromis, por që i njëjti siç potencohet nga Lista Serbe po do që të krijojë krizë e tensione.

“Deklaratat e fundit të Albin Kurtit tregojnë qartë se në Prishtinë nuk ekziston dëshira për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi, por vetëm dëshira për nxitje të krizave e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës. Populli serb në Kosovë i beson shtetit të saj Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiqi, se së bashku do t’u përgjigjemi të gjitha sfidave që janë para nesh”, thuhet nga Lista Serbe.

Kurti, pas Samitit të Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, deklaroi se vendimi është shtyrë një herë.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit. Më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në vend se të jetë më datën 1 tetor është data 1 nëntor, ose më mirë të them që në vend se të jetë më 30 shtator, data e fundit është 31 tetori”, ka thënë Kurti.

Kurti theksoi se masa për kthimin e targave ilegale në ato legale nuk është masë kundër serbëve, por kjo sipas tij po bëhet vetëm për ta respektuar ligjin.

“Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos e kursyer as kohën, as dijen. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por janë masa për serbët. Nuk është hakmarrje, urrejtje apo inat, është zbatim i ligjit rendit, janë vendimet qeveritare të cilët nuk i diskriminojnë njerëzit, por dëshirojnë t’i bëjnë të barabartë”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri bëri të ditur se ka komunikim të vazhdueshëm me komandantin e KFOR-it dhe po ashtu me ambasadorin e Amerikës në Kosovë.

“Unë jam në vazhdimësi në komunikim me ministrin e Brendshëm Jam, në kontakt me komandantin e KFOR, ambasadorin, State Departament, ne nuk duam asnjëherë që t’i befasojmë aleatët, miqtë tanë dhe partneret ndërkombëtarë, ne duam t’i befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë sipas përkatësisë etnike”, ka shtuar Kurti.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë gjatë vizitës së tij në Kosovë, deklaroi se ka kërkuar nga pala kosovare që vendimi të shtyhet edhe për dhjetë muaj.

Këtë kërkesë, Escobar kishte thënë se ia ka bërë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ashtu sikurse Kurti deklaroi se vendimi nuk do të shtyhet.

Ndonëse Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, megjithatë insiston në kërkesën paraprake që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar që kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore.

“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e duhura evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime”.

“Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12-mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur”, ka thënë Stano.

Sipas tij, kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferë të Kosovës.

Stano ka potencuar se duhet të shmanget eskalimi i tensioneve dhe situatës në veri të vendit.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika