Pas rezultatit në zgjedhje, Abdixhiku nuk përjashton mundësinë e dorëheqjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve zhgënjyese të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke marrë përgjegjësinë për performancën e dobët të partisë së tij.

Abdixhiku ka njoftuar se do të ftojë Kuvendin e LDK-së për të shqyrtuar “të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar”, duke lënë të hapur mundësinë për vendime të rëndësishme në drejtim të riorganizimit të partisë.

“Rezultatit i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur, ai që unë si kryetar kam dëshiruar ta shoh. Është një moment reflektimi i thellë, i përgjegjësisë. Kur qytetarët flasin ne duhet t’i dëgjojmë. Kur populli jep verdiktin, ne duhet ta respektojmë. Këto pesë vite që kam udhëhequr me LDK-në, kam bërë dhe vepruar ashtu siç kam besuar që është më e mira. Megjithatë sot duhet të them hapur se nuk kam arritur ta çojë LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kemi bërë fushatë dinjitoze që nuk i ka munguar asgjë në përkushtim, por ky është verdikti qytetar. Qytetari gjithmonë ka të drejtë…

Dua të shpresoj që mbështetësit e LDK-së t’i kem përfaqësuar me dinjitet. Një gjë do ta mbaj mend se LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpia e Kosovës dhe sot në këtë moment sfide, LDK ka nevojë për unitet. Ka nevojë të dëgjojë më shumë, të rinovohet më shumë”, ka thënë Abdixhiku.

Rezultatet preliminare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin bindshëm me mbi 50 për qind të votave, ndërsa LDK-ja ka marrë 14.04 për qind, duke u renditur në vendin e tretë pas PDK-së.

Të fundit nga rubrika