Gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, Emisari për Misione të Veçanta i Presidentit Amerikan Donald Trump, zhvilloi një takim me Shkëlqim Devollin, aksionarin e “Devolli Corporation”.
Takimi Grenell-Devolli ishte fokusua në çështje me rëndësi strategjike, duke përfshirë nxitjen e rritjes ekonomike në Kosovë përmes investimeve të huaja, forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe zhvillimin e sektorit privat.
Devolli prezantoi vizionin e kompanisë për zgjerimin e aktiviteteve dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar nevojën për një klimë të favorshme për bizneset dhe mbështetje ndërkombëtare në sektorët strategjikë.
Grenell, nga ana e tij, e siguroi se administrata Trump 2 mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rolin kyç të sektorit privat si motor i zhvillimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Të dy u dakorduan të vazhdojnë dialogun për projekte të përbashkëta me përfitime afatgjata.
Pas vizitës në rajon dhe takimit me Devollin, Grenell menjëherë është takuar me Presidentin amerikan Donald Trump në Qendrën Kulturore Kombëtare Amerikane – “Kennedy Center” por pa dhënë detaje se a biseduan me të edhe për çështjen e Kosovës.
Grenell vlerësoi mbështetjen e Trump-it për këtë institucion, duke kujtuar se ai kishte bindur Kongresin të alokojë 257 milionë dollarë për rikthimin e tij në ditët e lavdisë.
Grenell në një intervistë për Klan Kosova cilësoi akuzat e Gjykatës Speciale ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi si “të çmendura” dhe theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri të përkushtuar ndaj investimeve, jo politikës.