Mijëra qytetarë përfunduan marshin “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë, duke dërguar mesazhin e qartë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk janë vetëm.
Qytetarë nga e gjithë Kosova dhe diaspora e rajoni iu bashkuan marshit për të shprehur mbështetjen dhe për të kërkuar drejtësi epër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Folësit në marsh theksuan rëndësinë e drejtësisë së paanshme dhe sakrificën e popullit gjatë luftës.
Organizatori i protestës, Ismail Tasholli, ka theksuar se marshimi i 17 shkurtit nuk është kundër askujt, por për dinjitetin kolektiv dhe drejtësi të barabartë.
Ish-luftëtari i UÇK-së, Muhamer Ibrahimi, ka deklaruar se “nuk kemi frikë nga drejtësia, por kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme”.
“Sot, kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm”, ka shtuar ai.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ka theksuar se janë mbledhur për të kërkuar drejtësi dhe për t’i liruar ata nga Haga.
Ajo që e bashkon popullin tonë është padrejtësia dhe cenimi i lirisë.
Ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi, ka shtuar se sot kurrë më të bashkuar e më të zëshme nuk e ka parë Kosovën.
Ajo ka theksuar se heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet.
Në marsh ka folur edhe Lirim Haziri, djali i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i zhdukur që nga viti 1998, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe respektit për sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.
Ai ka deklaruar se populli nuk do ta ulë kokën para padrejtësisë dhe nuk do lejojnë që sakrifica të barazohet me faj.
“Sot flas para jush si djali i Xhavit Hazirit, heroit të kombit, i zhdukur në vitin 1998. Një hero që doli për liri dhe nuk u kthye më kurrë. Ne sot të mbledhur këtu nuk jemi familje të ndara, por një familje e madhe e sakrificës. Sakrifica e UÇK-së nuk i përket vetëm një familjeje, i përket të gjithë kombit”, ka thënë Haziri.
Ne borë e në shi, mijëra qytetarë mblidhen për marshin “Drejtësi, jo politikë”