Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas dyshimeve për manipulim të votave në Mitrovicë.
Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se kjo parti do të përdorë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve.
“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Gjoshi.
Kujtojmë se të hënën në mbrëmje u ndërpre procesi i numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, pas raportimeve për fletëvotime me numra serikë të ndryshëm.
Komisionerët e PDK-së dhe të LDK-së refuzuan të vazhdojnë punën, duke kërkuar që të sqarohen dyshimet për parregullsi.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagoi duke theksuar se problemi është rezultat i një gabimi teknik gjatë shtypjes së fletëvotimeve nga kompania kontraktuese, e cila pritet të japë një sqarim zyrtar në ditët në vijim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të numërimit deri në marrjen e përgjigjes nga kompania, në mënyrë që të përcaktohet nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo për manipulim të qëllimshëm.
Ndalimi i numërimit të votave në Mitrovicë: Dyshime për parregullsi, çfarë dihet deri tani?