Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kërkuar që në Mitrovicë të organizohet rivotim për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë procesit të votimit dhe numërimit.
‘Ne kërkojmë të shkojmë menjëherë në rivotim në Mitrovicë. Sot do të dorëzoj ankesë në PZAP, ku do t’i bashkëngjisë të gjitha provat për këtë manipulim, gjithashtu, duhet që kamerat të administrohen si prova”, ka deklaruar ai, raporton Duakgjini.
Ai ka thënë në një konferencë për media se në disa nga qendrat më të mëdha të votimit janë vërejtur ndërhyrje dhe presion gjatë procesit, përfshirë përdorimin e institucioneve të shtetit dhe ndikimin në votues.
“Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë gjatë numërimit kanë gjetur fletëvotime me numra serikë që i takonin një klase ose qendre tjetër, duke konstatuar bartje të fletëvotimeve nga një shkollë në tjetrën. Menjëherë kemi alarmuar organet e rendit dhe përfaqësuesit tanë në KQZ kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë, numërimi është ndalur”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka theksuar se kodi unik në çdo fletëvotim është mekanizëm sigurie për të parandaluar manipulimin dhe bartjen e votave, duke e bërë çdo rast të konstatuar jo thjesht teknik, por çështje ligjore dhe kushtetuese që lidhet me integritetin e zgjedhjeve.
“Bartja e fletëvotimeve nga një vend në vendin tjetër nuk ka guxuar të ndodhe sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhje…Kodi në fletëvotime shërben si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një vend në tjetrin. Ky kod e mbron vullnetin e lirë të qytetarëve dhe nuk është vetëm çështje teknike, por është çështje përmbajtësore”, ka theksuar ai.
Gruda ka dhënë disa shembuj konkretë të fletëvotimeve të bartura, në shkollën “Abdullah Shabani” janë gjetur tre fletëvotime që i takonin klasave të tjera; në shkollën “Ismail Qemali”, një fletëvotim nga qendra “Universiteti Isa Boletini”, dhe raste të ngjashme edhe në shkollat “Migjeni” dhe “Abdullah Shabani”.
Ai ka paralajmëruar se gjatë hetimeve pritet të identifikohen edhe më shumë raste të tilla, duke theksuar se deri tani, nga kutitë e numëruara, ka po aq fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën ose nga një qendër në tjetrën.