Partia Demokratike e Kosovës ka këmbëngulur se aktgjykimin i Gjykatës Kushtetuese lidhur me propozimin e kandidatit dhe mënyrën e votimit për kryetar të Kuvendit të Kosovës i jep të drejtë pretendimeve të opozitës.
Në një konferencë për media të shtunën, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se aktgjykimi e përcakton qartë se ndonëse grupi më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, duhet të ketë shumicën e votave.
“Megjithatë, Gjykata thekson se kjo e drejtë nuk është absolute. Ajo është e kushtëzuar me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve, pra së paku 61 nga 120. Kjo do të thotë se propozimi vetvetiu nuk është i mjaftueshëm, por duhet bashkëpunim me deputetët e tjerë për të siguruar shumicën”, shpjegoi Gruda.
Ai ka deklaruar se Gjykata e ka bërë të qartë se e drejta për të propozuar kryetarin është reale, por nuk mund të çojë në ngërç institucional.
“Gjykata e bën të qartë se e drejta për të propozuar Kryetarin nuk mund të përdoret për të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Me fjalë të tjera, grupi më i madh parlamentar nuk mund të përdorë këtë të drejtë si mjet për të penguar procesin demokratik, duke refuzuar bashkëpunimin apo duke imponuar një zgjidhje njëanshme”, theksoi ai.
Fetahu: Gjykata Kushtetuese konstatoi se rendi i ditës i një seance nuk mund të ndryshohet
Përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu, deklaroi sot se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se seanca konstituive e mbajtur më 15 prill nuk është zhvilluar në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës.
Sipas Fetahut, Kushtetuesja ka theksuar se rendi i ditës i një seance konstituive nuk mund të ndryshohet pas fillimit të saj dhe se nuk mund të vendoset votim i fshehtë pa bazë kushtetuese.
‘‘Gjykata në mënyrë të qartë ka vendosur dhe ka konstatuar se seanca konstituive e filluar me 15 prill nuk ka përfunduar, gjë që të gjithë e dimë dhe nuk është kontestuese. Por, ka thënë Gjykata, e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 66. Derisa ky është konstatimi i Gjykatës mbi mos zhvillimin e seancës konstituive në pajtim me kushtetutën dhe rregullat, pyetja që shtrohet është se pari: Nëse nuk zhvilluar në pajtim me Kushtetutën, pse nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën? Cilat kanë qenë shkeljet e evidentuara të cilat kanë rezultuar që procedura të mos jetë në pajtim me Kushtetutën? : Kush ka qenë akteri, ose aktorët që kanë bërë që kjo seancë të mos zhvillohet me Kushtetutën?. Në rastin konkretë ne e dimë që opozita nuk ka udhëhequr seancën konstituive. E Ka zhvilluar VV-ja, ka vendosur kështu kryesuesi i VV-së. Cilat ishin konstatimet kryesore të këtij aktgjykimi? Rendi i ditës së seancës konstituive nuk mund të ndryshohet pas fillimit të seancës. Nuk ka të drejtë askush të vendos për votim të fshehtë pa një bazë kushtetuese’’, ka thënë ai.