Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, njëherit ish-udhëheqës i njësive për monitorimin e ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë, është përballur në emisionin Debat Plus me gazetarin Lirim Mehmetaj, i cili një natë më parë kishte bërë deklarata në drejtim të tij. Prebreza, në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike, ishte ankuar për to, por më pas ata janë akorduar që të përballen sonte.
Ai ka thënë se është i gatshëm të përballet me Mehmetajn, i cili e ka akuzuar atë për vjedhje dhe hajni të parasë publike.
Një arsye tjetër që e ka shtyrë Prebrezën të ballafaqohet me Mehmetajn, sipas tij, ka qenë thirrja e këtij të fundit që në Fushë Kosovë “duhet gjithsesi të fitojë LDK-ja”.
“Nuk është gjithsesi me fitu LDK-ja, është gjithsesi vullneti i qytetarëve të Fushë Kosovës,” ka thënë ai.
Mehmetaj ka deklaruar se ka ngritur disa pretendime lidhur me Prebrezën dhe është i gatshëm të ballafaqohet edhe me drejtësinë për to.
“Ju keni thënë se janë shpifje, unë i kam dhënë faktet. Nëse dëshmohet e kundërta, mundeni edhe me më paditë. Rrjedhimisht, unë e kam në diskutim besimin e publikut, tek e fundit ajo është valuta e gazetarëve. Në anën tjetër, ju mundeni me humbë vota, se tek e fundit politikan jeni, me atë vlerësoheni,” ka thënë Mehmetaj, ndërsa Prebreza i është përgjigjur se do ta padisë.
“Po, kismet, po,” ka thënë Prebreza.