Një Qeveri me katër ministri më shumë sesa ajo aktuale në detyrë, e propozoi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Përbërja e propozuar, që nuk i mori votat e nevojshme për t’u bërë Qeveria “Kurti 3”, ishte kabinet me tre zëvendëskryeministra dhe 19 ministri.
Nëntë nga anëtarët ose ish-anëtarët e Qeverisë “Kurti 2”: Besnik Bislimi, Emilija Rexhepi, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Arbërie Nagavci, Rozeta Hajdari, Hajrullah Çeku, Hysen Durmishi dhe Elbert Krasniqi, nuk ishin të propozuar për mandat të ri në ekzekutiv.
Ish-kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte i propozuar për ministër të Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i parë.
Ndërsa kryeparlamentari aktual, Dimal Basha, ishte menduar për Ministër të Infrastrukturës, që do të ndahej nga Mjedisi dhe Planifikimi Hapësinor.
Nga punët e jashtme, Donika Gërvalla ishte e propozuar të kalonte në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe të vazhdonte si zëvendëskryeministre.
Për zëvendëskryeministër i tretë, Kurti e kishte menduar Fikrim Damkën, i cili është ministër në detyrë për Zhvillim Rajonal.
Aktori Fatmir Spahiu për ministër të Kulturës ishte një nga emrat e ri.
Nga zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Blerim Gashani ishte i propozuar të udhëhiqte ministrinë e re: për sport dhe rini.
Po ashtu, avancim ishte menduar edhe për Avni Zogianin – ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Një ministri të re, atë për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, ishte propozuar ta drejtonte Andin Hoti, i biri i Ukshin Hotit.
Nga këshilltar, Kurti kishte menduar ta avanconte në ministër për Administratë Publike dhe Digjitalizim, Lulzon Jagxhiun.
Emër i ri ishte edhe Sejnur Veshja, nga komuniteti rom, i propozuar për Ministër të Zhvillimit Rajonal.
Deputetët Armend Muja, Dimal Basha, Fitore Pacolli, Mimoza Kusari dhe Rasim Demiri, po ashtu ishin pjesë e kabinetit të propozuar qeveritar.
Në rast vote të suksesshme, nga përbërja aktuale e Qeverisë në dikasteret e njëjta edhe për një mandat do të vazhdonin Arben Vitia, Xhelal Sveçla, Ejup Maqedonci e Nenad Rashiq.
Ndërsa, Hekuran Muratit krahas financave do t’i shtohej ekonomia e Artane Rizvanolli ishte e propozuar si ministre pëër Energji dhe Miniera.