Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka përfunduar aksioni i nisur në orët e hershme të mëngjesit në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në komunën e Prishtinës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, lidhur me këtë aksion, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurat me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K., në cilësinë e personave zyrtarë në ARBK, të njëjtat dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ pasi duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje dhe me qëllim kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme në mënyrë që personi me inicalet I.B., të përfitoj dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, njofton Dukagjini.
“Sipas dyshimeve, ato kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë ‘’N.K.W.P’’ ’’Sh.P.K’’ në vlerë mbi 50.000 (pesëmbëdhjetëmijë) euro. Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se edhe Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit ka dhënë detaje lidhur me këtë aksion.
Sipas njoftimit të Ministrisë sot në mëngjes në ARBK kanë qenë të pranishme njësitë policore për krime ekonomike, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pasi pronari kishte ndërruar jetë, njofton Dukagjini.
“Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative. Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Aksioni në ARBK, Ministria e Industrisë: Hetime për ndryshimin e pronësisë së një biznesi