Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

Ka përfunduar protesta e qytetarëve që kundërshtuan paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Protestuesit marshuan nga zyrat e KEDS dhe KESCO drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, ku paraqitën kërkesat e tyre kundër shtrenjtimit të rrymës.

Gjatë protestës, qytetarët kërkuan që të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike, duke theksuar se një vendim i tillë do të rëndonte edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Po ashtu, një nga kërkesat kryesore të protestuesve ishte që pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shkarkohet Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Sipas tyre, ky institucion mban përgjegjësi për vendimet që lidhen me tarifat e energjisë.

Protestuesit kërkuan gjithashtu që të nisë diskutimi për kthimin e distribucionit dhe furnizimit me energji elektrike nën menaxhimin e shtetit.

Nga protesta u bë thirrje që Qeveria e Kosovës të mos lejojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ndërsa organizatorët paralajmëruan se kundërshtimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Të fundit nga rubrika