
Kandidatit për asamblist në komunën e Ranillugut, Ivan Ristiq, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore pas dy ditësh grevë urie, është konfirmuar për radion Kim. Ai dhe Ivan Petroviq janë në grevë urie për shkak të pushimit nga puna në Organin e Përkohshëm të Kamenicës, pas angazhimit të tyre politik dhe kandidimit në zgjedhjet lokale.
Sipas fjalëve të Ivan Petroviqit, kandidatit të Lëvizjes Popullore Serbe për kryetar të Ranillugut, Ristiqit fillimisht iu dha ndihma në ambulancën e Ranillugut, më pas u transferua në spitalin e Pasjanit, e mandej, për shkak të përkeqësimit të mëtejshëm, u dërgua në spitalin e Llapnasellës, ku u shtrua dhe mori terapi.
Pas trajtimit, Ristiq u lirua për mjekim shtëpiak. Ai është i sëmurë nga zemra dhe, siç u konfirmua dje, ka pesë stenta të vendosura.
Petroviq theksoi se Ristiq, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, është aktualisht me të dhe ende po vazhdon grevën. Ai shtoi se vetë ndihet mirë dhe nuk ka probleme shëndetësore nga greva e urisë. Sot është dita e tretë që nuk marrin ushqim.
“Ende gjithçka është e njëjtë, askush nga komuna nuk na është drejtuar”, tha Petroviq për radion Kim.
I pyetur nga gazetarja e radios Kim nëse pret ndonjë ndryshim, Petroviq përsëriti se pavarësisht gjithçkaje greva do të vazhdojë.
“Greva do të vazhdojë në këtë ose në një formë tjetër, ndërsa nga njerëzit që udhëheqin komunën e Kamenicës dhe nga udhëheqësia e Listës Serbe nuk pres absolutisht asgjë, sepse i njoh mirë. E di që ndoshta këtë as nuk e kanë bërë me dëshirën e tyre, por sipas urdhrit të dikujt tjetër, më të fortë se ata”, përfundoi ai.
Kujtojmë se dy punëtorë të Organit të Përkohshëm të Kamenicës së Kosovës u pushuan nga puna, pasi u kandiduan në zgjedhjet lokale për partitë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” dhe “Lëvizja Popullore Serbe”. Përfaqësuesit e OP Kamenicës së Kosovës nuk janë prononcuar lidhur me këtë çështje.