Pesë të vrarë përfshirë dy fëmijë, në sulmet izraelite mbi tendat e palestinezëve në Gaza

Pesë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas sulmeve ajrore izraelite mbi tendat e vendosura për persona të zhvendosur, në perëndim të Khan Yunis, raportojnë mjekët e Spitalit Fushor të Kuvajtit.

Sulmet goditën zonën bregdetare të al-Mawasi në Gaza. Mjekët thanë se të vrarët ishin dy gra, 46 dhe 30 vjeç, një burrë 36-vjeç dhe dy djem, 8 dhe 10 vjeç. Po ashtu, 32 të plagosur janë trajtuar në spital.

Punonjësit e shpëtimit thanë për BBC-në se trupat e pajetë u gjetën në kampin al-Najaat, një kompleks tendash që ka strehuar qindra persona të zhvendosur gjatë muajve të fundit.

Forcat izraelite thanë se kishin “goditur një terrorist të Hamasit” pasi pesë ushtarë të tyre u plagosën më herët gjatë ditës.

“Organizata terroriste Hamas kryeu një shkelje të hapur të marrëveshjes së armëpushimit, duke sulmuar trupat e IDF-së të vendosura në zonën e Rafahut,” thuhet në një deklaratë të Ushtrisë Izraelite.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte premtuar se do të “reagojë në përputhje me situatën”.

Dëshmitarët thanë se sulmi i parë goditi një tendë brenda zonës së zhvendosur të al-Mawasi, i ndjekur nga shpërthime pranë spitalit të Kuvajtit, duke shkaktuar panik mes familjeve që strehoheshin aty pranë.

Hamas e quajti veprimin e Izraelit “barbar, të pa dallueshëm dhe shkelje të armëpushimit”, i cili nisi më 10 tetor.

Sulmi izraelit në Gaza nisi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit jugor më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 u morën peng. Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamas, janë vrarë mbi 70,100 palestinezë si pasojë e fushatës izraelite.

Të fundit nga rubrika