Për vetëm 48 orë në Kosovë janë regjistruar pesë raste të vrasjeve në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren.
Ngjarja më e fundit u shënua mbrëmjen e së hënës në Hajvali të Prishtinës, ku një 41-vjeçar u vra me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje të dyshuar në komunikacion.
Policia e Kosovës konfirmoi se viktima ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa personi i dyshuar është identifikuar dhe po kërkohet.
Të dielën, në qendër të Gjilanit, tre persona humbën jetën pasi u qëlluan me armë zjarri.
I dyshuari kryesor për këtë ngjarje është Mefail Shkodra, i cili bashkë me dy djemtë e tij ndodhet ende në arrati.
Pas kësaj ngjarjeje, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, urdhëroi hetime nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi masa disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë trajtuar rastet e mëparshme të Shkodrës.
Ndërkaq, me rekomandim të IPK-së, katër zyrtarë policorë janë suspenduar.
Mbrëmjen e 10 gushtit në Prizren, një person u ther për vdekje me thikë në lagjen “Tusuz”. I dyshuari është arrestuar nga Policia.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, viktima u dërgua fillimisht në QKUK për trajtim, por nuk i mbijetoi plagëve.
Një tjetër vrasje këtë muaj është raportuar në fshatin Baicë të Lipjanit më 4 gusht.
Policia ka thënë se trupi i viktimës është gjetur i varrosur në një arë. Viktima është një 50-60 vjeçar.
Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar.
Figura të njohura publike kanë kërkuar nga institucionet shtetërore rritjen e masave të sigurisë, pas rritjes së numrit të vrasjeve dhe aksidenteve në vend.