Dy persona, një burrë dhe një grua, kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë këtë të premte në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.
Të plagosurit janë të moshës 24 vjeçare dhe 32 vjeç, njofton Dukagjini.
Fillimisht të plagosurit ishin dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa 32-vjeçari është sjellë në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjeksësor.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Me datën 10.04.2026, rreth orës 22:00, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Driton Islami”, në afërsi të rreth-rrotullimit, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Sipas informatave të para, dyshohet se janë plagosur dy persona, një femër ( rreth 24 vjeçe) dhe një mashkull ( rreth 32 vjeç), të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor. I plagosuri mashkull, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Ferizaj, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor” ka thënë Veseli.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të rendit, hetuesit e stacionit, si dhe hetuesit dhe krim-teknikët nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët janë duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe po punojnë intensivisht për të sqaruar rrethanat që kanë çuar deri te kjo plagosje. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit” tha Veseli.
Për detaje të tjera do të njoftoheni me raport vijues.
