Plagoset një person në Pejë, i dyshuari në kërkim

Një person u plagos të hënën në lagjen “Jarina” të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar se Policia ka marrë informacion rreth orës 13:50 për të shtëna me armë.

“Viktima është dërguar fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm. I dyshuari është i njohur për Policinë dhe aktualisht është në kërkim”, ka thënë Gashi.

Edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka konfirmuar rastin.

“Një pacient ka ardhur i plagosur në spitalin tonë. Pas stabilizimit nga ekipi mjekësor dhe vlerësimit profesional, ai është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Prishtinë, sipas protokolleve mjekësore dhe në bashkëpunim me shërbimet emergjente, me qëllim ofrimin e kujdesit shëndetësor më të mirë,” thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika