Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar të martën në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni se “Serbia është në prag të luftës civile”.
Duke folur për sfidat e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, ai përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Plenkoviq tha se ngjarja kaloi pa reagim serioz nga BE-ja, ndërsa shtoi se realiteti politik në rajon mbetet i ashpër.
“E keni Banjskën, e cila në vitin 2023 kaloi pa asnjë vërejtje serioze ose artikulim nga ndonjë në BE, sikur po bëhemi se nuk ka ndodhur. Ky është realiteti. Duhet të jemi me të vërtetë të kthjellët rreth zgjerimit dhe kontekstit global që po ndryshon. Unë jam për zgjerim, mendoj se të gjithë po përpiqen të anëtarësohen, por ata duhet të stabilizohen politikisht”, tha Plenkoviq.
“Keni Maqedoninë e Veriut të bllokuar. Keni Serbinë, me më shumë se dy vjet trazira të brendshme, protesta të forta e serioze – në prag të luftës civile,” u shpreh tutje Plenkoviq.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq.
Në një shkrim në platformën “X”, ajo akuzoi Kroacinë dhe faktorë të tjerë se duan ta destabilizojnë Serbinë.
“Plenkoviq thotë se Serbia është në prag të luftës civile. E çfarë tjetër? Aq shumë e kanë dashur dhe aq shumë kanë investuar në këtë. E dinë që objektivi i tyre strategjik – që Aleksandar Vuçiq të mos jetë në krye të Serbisë – mund të përmbushet vetëm kështu. Për fat të keq për disa, dhe për fat të madh për Serbinë dhe shumicën e qytetarëve të saj, për gjithë popullin tonë, kjo as nuk është e vërtetë, as nuk do të ndodhë. Që ta parafrazoj një këngë tonën – kot ju shkuan paratë, o kushërinjtë e mi, kot ju shkuan të gjithë Dinkot dhe Milat… Librin e gatimit e përfunduat në plehra (edhe fjalë për fjalë)”, shkroi Brnabiq në X.