Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunim”, me viktimë një të mitur.
Sipas njoftimit zyrtar, më 29 korrik 2025 rreth orës 00:45, policia kishte marrë informacion për përdorim të mundshëm të substancave narkotike në rrugën “Serdara Janka Vukotića” në Mitrovicën e Veriut. Njësitë policore kanë intervenuar në lokacion dhe kanë hasur në një lokal, furrë buke, ku kanë gjetur tre persona: një mashkull dhe dy femra.
Të tre personat janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Gjatë procedurës është mësuar se i dyshuari 21-vjeçar, me iniciale M.C., kishte pasur marrëdhënie seksuale me njërën nga femrat, e cila rezultoi të jetë e mitur.
Pas konstatimit të moshës së viktimës, Policia ka kontaktuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Dhunim”.
Hetimet janë ndërmarrë nga njësia e hetimeve të stacionit dhe njësia rajonale në Mitrovicë Veri, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.