Policia e Kosovës në veri të Kosovës ka kryer sot kontrolle në pesë lokacione pas pranimit të informacionit se në disa shtëpi mund të gjendeshin armë.
Soqanicë, Komuna Leposaviq: Policia ka gjetur dy armë në proces të legalizimit. Pronari kishte leje të lëshuar nga UNMIK-u dhe kishte aplikuar për vazhdimin e tyre te institucionet kompetente.
Ibarska Sllatin, Komuna Leposaviq: Shtëpia u kontrollua, dhe pronari deklaroi se kishte shitur një armë gjuetie me leje UNMIK-u në vitin 2006, duke ndjekur procedurat ligjore.
Lagja Korile, Komuna Zveqan: Pronari kishte dërguar armët e tij me leje UNMIK-u në Serbi. Në shtëpi u gjet një sasi e vogël municioni, e cila u sekuestrua. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është inicuar rasti për “Mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Fshati Okllaqe, Zubin Potok: Nuk u gjetën armë të dyshimta. Pronari njoftoi se armën me leje të skaduar UNMIK do ta dorëzonte nesër në stacionin policor.
Fshati Uglar, Zubin Potok: U gjet një armë gjuetie me leje të skaduar UNMIK-u, e cila u sekuestrua. Rasti është inicuar për “Mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia nuk ka bërë arrestime në lidhje me këto raste.