Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli në veri të vendit ka gjetur pajisje ushtarake, që dyshohet se i përkasin një personi të kërkuar për sulmin në Banjskë.
Sipas njoftimit, mëngjesin e 18 shtatorit, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Zveçan ka hasur një rimorkio ku gjeti dy thasë me uniforma, antiplumbë, 5 karikatorë të AK-47 me municion dhe paisje tjera ushtarake.
“Mjetet e dyshimta të cilat janë konfiskuar janë si ne vijim: 1 Uniformë ushtarake kamufluese, 5 karikator me 132 fishek të armës AK-47, 5 fatrolla për mbajtje te karikatorëve në gjoks, 4 pale pantallona ushtrak, 4 jakne ushtarake, 3 fotrolla të radiolidhjeve, 1 antiplumb, 2 rripa brezi ushtarak, 1 jelek taktik, 1 çantë taktike, 1 helmetë e gjelbër 1 kapelë, dhe 1 dritë rrotative”.
Në vendngjarje janë sekuestruar edhe rroba të tjera ushtarake, përfshirë një uniformë kamuflazhi.
Policia tha se nuk është arrestuar asnjë person, por dyshohet se pajisjet i përkisnin një të dyshuari, i cili tashmë ndodhet në kërkim për rastin e Banjskës. Rasti është duke u hetuar më tej.