Policia e Kosovës sërish ka sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale në Mitrovicë të Veriut, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët.
Sipas njoftimit, më 3 shkurt policia ka kryer kontroll në një bodrum kolektiv të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, ku janë gjetur armë të gjata, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, pajisje ushtarake, jelekë antiplumb si dhe një granatë tymuese.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Aktualisht nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim dhe i ka inkurajuar që të raportojnë çdo rast të dyshimtë.
