Policia merr një parcelë që përdorej nga institucionet serbe në Mitrovicë të Veriut

FOTO:REL

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka njoftuar se anëtarët e këtij kuvendi kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Ai ka thënë për Portalin Dukagjini se në atë hapësirë janë të vendosura Ndërmarrja Publike “Standard”, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit dhe Autoriteti i Përkohshëm Komunal.

Të gjitha këto institucione punojnë sipas sistemit serb.

Udhëheqësi i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, shkroi në Facebook se në këtë parcelë ka edhe një sallë sportive.

Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë nga komuniteti shqiptar, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri që u mbajtën në prill. Po ashtu, kjo komunë me shumicë serbe udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga partia, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Arsenijeviq e ka krahasuar këtë vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut me “okupim” dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë “të gjitha procedurat demokratike dhe ligjore për ta zhbërë këtë vendim të paligjshëm”.

Në fund të majit, në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – u rritën tensionet pasi kryetarët e rinj shqiptarë nisën punën. Një përshkallëzim i dhunës ndodhi në Zveçan, ku protestuesit u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në protestën e 29 majit u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i partisë kryesore të serbëve në Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova për sulmin e fajëson shtetin e Serbisë, por Beogradi mohon përfshirjen.

Shija e redaktorit

Nebi Qena merr rol udhëheqës në Associated Press

Gazetari i njohur Nebi Qena është emëruar zëvendësdrejtor për video në agjencinë botërore të lajmeve Associated Press në SHBA. Në një letër për stafin, drejtori...

 Themelorja lë në fuqi aktakuzën ndaj dy ish-ministrave Endrit Shala...

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtja e dy ish-ministrave të...

Ambasada britanike për njohjen e Kosovës nga Sudani: Një moment...

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë përmes një postimi në Facebook e ka uruar Kosovën për njohjen e marrë nga shteti afrikan, Sudani. Ambasada...

Të fundit nga rubrika