Policia njofton për masat e sigurisë dhe gjërat që s’lejohen në stadium gjatë ndeshjes “Kosovë – Izrael”

Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes së ndeshjes dhe rregullat që duhet të zbatojnë ata që duan ta shikojnë ndeshjen nga stadiumi

Stadiumi "Fadil Vokrri" në Prishtiinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe akterët relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtje të ndeshjes sportive “Kosova vs Izraeli” që zhvillohet në kuadër të UEFA-s për kualifikime EURO 2024, e cila do të mbahet më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, Policia ka thënë se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin, përfshirë në sheshet e tij.

Rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të mbyllura gjatë ditës së ndeshjes, po ashtu.

Ajo njoftoi se do të ndalohet “çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.”

Shtimi i sigurisë vjen pasi një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje nga Policia për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, e cila u hodh poshtë për shkaqe sigurie.

Tutje thuhet se janë marrë masat për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, për shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale.

“Bazuar në bashkëpunim të ndërsjellë me FFK-në dhe të gjithë akterët relevantë, si dhe bazuar në informacionet dhe vlerësimet operacionale, është hartuar urdhri operativ policor i cili ka për qëllim, sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet, parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike, shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj dhe Mbrojtja e jetës dhe pronës publike e private”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu policia ka hartuar urdhrin operativ policor me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes së ndeshjes dhe rregullat që duhet të zbatojnë ata që duan ta shikojnë ndeshjen nga stadiumi.

Gjërat që nuk lejohen në stadium:

  •  Mjetet piroteknike,
  •  Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë,
  •  Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë,
  •  Pijet alkoolike dhe substancat narkotike,
  •  Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh),
  •  Ombrella,
  •  Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë,
  •  Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.),
  •  Kamera profesionale dhe video kamera,
  •  Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.

Rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për qarkullim të automjeteve, lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve dhe Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse.

Përveç tjerash përfshihen edhe rregullat për hyrje në stadium, andaj nga qytetarët/pjesëmarrësit në stadium që kanë siguruar bileta kërkohet që të kenë parasysh dhe t’iu përmbahen rregullave të parapara duke përfshirë:

  •  Hapja e dyerve të stadiumit do të bëhet në orën 18:00, ku rekomandohet që ardhja në stadium të bëhet më herët, për shkak të shmangies së tollovive dhe   krijimit të qasjes më të lehtë dhe të shpejtë në stadium.
  •  Kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, përderisa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësi të afrohen te portat e stadiumit.
  •  Veturat për qasje në parkingun zyrtar duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejohet parkimi në atë zonë (me përjashtim të   veturave të FFK-së dhe personave të pajisur me biletën VIP).

Ndeshja në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet është e para për ekipin kombëtar të Izraelit prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, më 7 tetor.

Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi militantët e grupit radikal i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika