Policia zbardh detajet e aksidentit tragjik në Dollc

Policia e Kosovës ka dhënë detajet e para lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Dollc të Klinës, ku një veturë u përplas me një autobus, duke lënë një person të vdekur dhe pesë të tjerë të lënduar.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti u raportua sot në mengjes rreth orës 06:10, në magjistralen Pejë–Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor.

Hetimet e para tregojnë se aksidenti ndodhi pasi shoferi i veturës, duke mos iu përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës, humbi kontrollin mbi automjetin, kaloi në shiritin e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me autobusin.

Policia konfirmon se drejtuesi i veturës humbi jetën në vend, gjë të cilën e konstatoi ekipi mjekësor. Ndërkohë, pesë persona të tjerë u lënduan dhe u dërguan për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Pejës.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili ishte në vendin e ngjarjes, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Një i vdekur dhe pesë persona të lënduar nga aksidenti në Gjurgjevik i Madh të Klinës

Të fundit nga rubrika