Polonia zgjat mbrojtjen për refugjatët ukrainas, por kufizon përfitimet

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka ratifikuar ligjin që zgjat mbrojtjen e përkohshme për refugjatët ukrainas, por njëkohësisht kufizon mbështetjen për ta, njoftoi zyra e tij më 26 shtator. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Polonia ka pritur mbi 1 milion refugjatë, shumica gra dhe fëmijë.

Fillimisht, Nawrocki kishte vendosur veto mbi draftin e parë të ligjit të propozuar nga qeveria në gusht, duke kërkuar heqjen e disa përfitimeve për refugjatët. Kjo lëvizje shkaktoi shqetësime mes komunitetit ukrainas, por edhe te punëtorët polakë që frikësoheshin për vendet e tyre të punës. Pas ndryshimeve të bëra, qeveria paraqiti një version të ri të projektligjit, i cili u nënshkrua nga presidenti të premten.

Polonia ka qenë një nga mbështetëset kryesore të Kievit dhe shërben si vend transit për armët perëndimore dhe ndihmën humanitare që dërgohet në Ukrainë.

Sipas qeverisë polake, ndryshimet e reja në ligj synojnë të “eliminojnë shkeljet që lidhen me pagesat për familjet”, veçanërisht për shtetasit ukrainas që nuk jetojnë në Poloni. Gjithashtu, ato do të adresojnë edhe çështjen e strehimit të refugjatëve ukrainas të luftës në këtë vend.

Të fundit nga rubrika