Pos vërshimeve, edhe mungesa e ngrohjes dhe rrymës sfidoi nisjen e mësimit

Fillimi i gjysmë vjetorit të dytë shkollor u shoqërua me vështirësi në disa komuna të vendit, si pasojë e vërshimeve, mungesës së ngrohjes dhe problemeve me energjinë elektrike. Në Prishtinë, prindërit u ankuan për klasa të ftohta, ndërsa telashe u evidentuan edhe në Viti dhe Rahovec, ku në disa raste mësimi u pezullua. Njohësit e arsimit paralajmërojnë se këto probleme mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e mësimit dhe kërkojnë masa parandaluese për të ardhmen

Derisa vërshimet e fundit bënë që fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë shkollor të shtyhet në zonat e prekura rëndë, mësimi nuk nisi pa telashe as në zonat që i përballuan më lehtë ato.

Në kryeqytet, nxënësit e disa shkollave i gjetën klasat të ftohta dhe ankesat, sipas Këshillit të Prindërve, ishin për disa kryesisht në fshatra, pa përjashtuar edhe disa në kryeqytet.

“Ne si Këshill i Prindërve kemi pas ankesa dhe kemi nga drejtorë të shkollave sepse është dashtë më herët me lëshu nxemjen, ditën e shtunë e të dielën që me qenë ambienti i ngrohtë. Kanë fillu me i lëshu nxemjet të dielën në orët e vona disa shkolla dhe normalisht, kur kanë ardh fëmija në shkollë, meqenëse ka qenë pushim, objekti nuk ka arrit me u ngroh i tëri. Këtë shqetësim e kemi ngrit jo vetëm tash po disa vite e ngrisim që gjysmë vjetori i dytë të mos na zë në këto telashe”, ka theksuar Nexhmi Hoxha, kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Bazuar në ankesat e pranuara, sipas Hoxhës, problemet dallonin nga shkolla në shkollë.

“Problemi di të jetë edhe nga TERMOKOS, për shkak të rrymës por ka pas edhe si shkak i mungesës së druve, nënshkrimit të kontratave që po bëhen me vonesë. Si Këshill i Prindërve jemi shumë të zhgënjyer. Si prind po japim edhe kontributin vullnetar, po mundohemi me iu ndihmu, por kur e shohim që pjesa komunale dhe qeveritare shumë pak, komuna mundohet në aspektin e vet dhe thotë që nuk i kemi mundësitë më shumë, nuk na e kanë lëshu buxhetin”, ka theksuar Nexhmi Hoxha – kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Probleme u raportuan edhe në Komunën e Vitisë me ç’rast, u publikuan edhe foto të stufave elektrike brenda klasave, në shkollën “Mirali Sejdiu” në fshatin Gërmovë dhe në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”.

Por sipas DKA-së, situata është stabilizuar, e problemi ishte tek energjia elektrike.

“Gjendja është mirë. E ka pas një telash brenda një dite por që është rregullu brenda ditës. E ka qit një “fazë” diçka por është rregullu shumë shpejtë. Gjendja është në rregull në gjithë Vitinë”, ka deklaruar Arta Ajeti, drejtoreshë e Arsimit në Viti.

Telashe pati edhe në Rahovec me ç’rast, mësimi u pezullua në shkollën “Gëzim Hamza – Piktori” si shkak i furnizimit të pamjaftueshëm me energjinë elektrike.

Për njohës të arsimit, fakti që gjysmë vjetori i dytë nisi kësisoj, do të ketë edhe pasoja.

“Do kenë pasoja dhe do ndikojnë në cilësinë e përgjegjësisë të organizimit të mësimit. Është e rëndësishme që Drejtoritë e Arsimit duhet të marrin masat e nevojshme që probleme të tilla të mos përsëriten më. Është e qartë që ka vështirësi dhe ka sfida në sigurimin e ngrohjes por humbja e orëve të mësimit do ketë ndikim negativ, në të ardhmen sugjeroj që vonesat të evitohen”, ka theksuar Argjend Osmani – njohës i arsimit.

Probleme të natyrës së njëjtë pati edhe në Ferizaj, Prizren, Mamushë e Vushtrri për çka Ministrja në detyrë e Arsimit kritikoi komunat për keq organizim, gjersa theksoi se orët e humbura do të zëvendësohen.

Shija e redaktorit

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Të fundit nga rubrika