Presidenti i ri ose zgjedhje të reja? – Hamza kërkon unitet, Abdixhiku përgjegjësi

Kryeministri, Albin Kurti, pritet të takohet sot në orën 14:00 me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Takimi vjen një ditë pasi Kurti zhvilloi bisedë edhe me liderin e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin diskutoi po ashtu për çështjen e kreut të shtetit.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri është 4 marsi. Këto data e vendosin procesin në një kornizë të ngushtë kohore.

Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht 80 vota nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Nëse në dy raundet e para asnjë kandidat nuk arrin 80 vota, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, ka 57 ulëse në Kuvend, çka e bën të domosdoshme arritjen e një marrëveshjeje me partitë e tjera për të siguruar shumicën e nevojshme.

Dështimi për ta zgjedhur brenda afatit kushtetues do të kishte pasoja të drejtpërdrejta politike. Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Takimi Kurti-Hamza

Pas takimit me Kurtin, Hamza theksoi se zgjedhja e presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur.

Megjithatë, Hamza theksoi se partia e tij nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar në frymën kushtetuese.

“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë.

Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri”, ka shkruar Hamza.

Abdixhiku për presidentin

Edhe Abdixhiku, në një paraqitje në Debat Plus, ka theksuar se asnjë parti nuk duhet t’i shmanget këtij procesi.

“Jemi më datë 19 shkurt, jemi më pak se 2 javë kohë. Për të pasur ose zgjedhje të reja ose president të ri. Nëse për 2 javë Kosova nuk e zgjedh presidentin me automatizëm shkohet. Sa në herët që takohemi më mirë është. Dhe kur them takohemi është mirë të takohemi të gjitha partitë shqiptare parlamentare. Dhe të shohim të cilat janë interesat dhe mundësit për të bërë rrugën përpara. Në qoftë se ka abstenim prej partive politike, nëse një parti thotë se s’dua me u marrë me këtë punë fare mos të bëhet palë morale në këtë temë. Se po i ik përgjegjësisë.

Dhe përgjegjësia për presidentit na takon të gjithëve. Duhet të ulemi për të përcaktuar presidentin e ardhshëm”, ka thënë Abdixhiku.

Të fundit nga rubrika