Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se politikat dhe veprimet e presidentit amerikan Donald Trump mund të çojnë drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për NBC News, ai tha se megjithëse administrata amerikane pretendon të punojë për paqen, hapat e ndërmarrë nga SHBA rrezikojnë të ndezin një konflikt të madh rajonal.
“Trump thotë se qëllimi i tij është të sjellë paqe, por rruga që ka zgjedhur mund të përfundojë duke i vënë flakën të gjithë rajonit,” u shpreh Pezeshkian.
Kreu iranian theksoi se vendi i tij nuk ka qenë kurrë agresor në konfliktet ndërkombëtare. “Nuk kemi nisur asnjëherë luftë dhe nuk do ta bëjmë as në të ardhmen. Por nëse sulmohemi, do të përgjigjemi fuqishëm,” deklaroi ai.
Sipas Pezeshkian, Irani po punon për të rritur kapacitetet mbrojtëse, me qëllim shmangien e çdo kërcënimi të jashtëm. “Ne do të forcojmë çdo ditë aftësitë tona për të parandaluar sulme të mundshme,” shtoi ai.
Deklaratat e tij erdhën pas një operacioni ushtarak të SHBA-së në qershor, kur shtatë bombardues strategjikë B-2 hodhën bomba mbi objektiva të rëndësishme bërthamore në Iran.
Nga ana tjetër, Presidenti Trump, në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cilësoi këtë ndërhyrje si një arritje të madhe. “Asnjë vend tjetër në botë nuk do të kishte guxuar të bënte atë që bëmë ne. Ne kemi armët më të fuqishme në planet – edhe pse i urrejmë luftërat, jemi të përgatitur,” tha ai.