Deri në fund të ditës së nesërme në Gjykatën Kushtetuese do të shkojnë komentet lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nga presidentja Vjosa Osmani e nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një përgjigje nga Zyra e Presidentes, kanë konfirmuar se të mërkurën do të dorëzojnë komentet në Kushtetuese, derisa kanë theksuar se askush nuk duhet të ketë të drejtën e bllokimit të institucioneve.
“Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve.” –Zyra e presidentes së Kosovës
Të premten Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën iu ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës deri më 30 shtator.
Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë konfirmuar për Dukagjinin se do të dërgojnë në Gjykatë komente në lidhje me këtë.
Por, njëjtë nuk do të veprojnë edhe partitë që ishin në opozitë. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë thënë se nuk do të dërgojnë komentet për këtë çështje.
Derisa, në Partinë Demokratike të Kosovës ende nuk kanë vendosur për diçka të tillë.
Në fund të gushtit pas shumë tentimesh Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarë. Procesi për nënkryetarët nga komunitetet, u nda dhe u arrit të votohet vetëm Emilja Rexhepi kur procesi ngeci tek nënkryetari serb derisa në disa seanca radhazi u votua për të gjithë deputetët serbë por asnjëri nuk mori votat, derisa Lëvizja Vetëvendosje përkrahte kandidimin e Nenad Rashiqit.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Dimal Basha e ka shpallur të konstituuar legjilsaturën e re, por Lista Serbe dorëzoi ankesë për këtë në Gjykatën Kushtetuese.