Edhe një çështje tjetër ka përfunduar në duar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar këtij institucioni për shkak se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dërguar tre emra për anëtarë të KQZ-së.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje.”
Por, tashmë presidentja ka emëruar 9 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media, thanë se Osmani ka emëruar vetëm një anëtarë të tyre në institucionin kryesor për organizim të zgjedhjeve.
“Vendimi i fundit i presidentes Osmani për mos emërimin e anëtarët të dytë të PDK-së në KQZ është cenim i kushtetutshmërisë, demokracisë dhe i zgjedhjeve në Kosovë, në fund të mandatit të saj në vend se të lente ndonjë shenj të mirë në postin e të parës së shtetit Osmani ka vendosur që të mos e respektoje Kushtetutën e vendin e as praktikën e më hershme institucionale të ndjekur nga vetë ajo”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi.
Siç ka mësuar televizioni, Osmani ka emëruar 2 anëtarë të LVV-së, një të LDK e AAK-së dhe katër nga komunitet.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi e vlerësojnë të panevojshme, dërgimin e kësaj çështje në Kushtetuese.
“Sepse e dimë në një rast kur z.Thaçi ish presidenti i Kosovës pati dërguar një kërkesë të njëjte pak a shumë Gjykata e ka shpallur si kërkesë të papranueshme sepse presidenti presidentja në këtë rast ka rol kushtetues dhe e din dispozitat kushtetuese mbi të cilat vendos, dhe pastaj Gjykata Kushtetuese të vlerësojë në rastin e emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga partitë politike, presidentja nuk është dashur të dërgojë letër në Kushtetuese është dashur t’i emërojë anëtarët e KQZ-së sipas bindjes së vet”, ka thënë Naim Jakaj nga IKD.
Betimi i anëtarëve të KQZ-së, pritet të bëhet këtë të premte, derisa mandati i Osmanit përfundon më 4 prill.
Sipas legjislacionit në fuqi presidentja ka pasur kohë vetëm 5 ditë, për konfirmimin e emërimit apo jo, pas propozimit të personave nga partitë politike.