Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar një delegacion nga shteti i Iowa-s, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Osmani e ka cilësuar vizitën e përfaqësuesve të shtetit të Iowa-s si “sinjal i përkushtimit të ndërsjellë” i cili ka për qëllim përafrimin e dy vendeve në vazhdimësi, Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para delegacionit amerikan, Osmani ka përmendur potencialin që ofron Kosova, duke përmendur përqindjen e madhe të të rinjve, shkollimin e tyre, sikurse edhe sukseset e sportistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare në Algjeri, me 6 medalje olimpike.
Një falenderim përgjatë takimit i është bërë edhe Gjeneralit Orr.
Osmani ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Iowa-s për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se Kosova vazhdon të jetë e bashkërenduar me aleatët e saj për të kontribuuar për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.
Ajo i ka cilësuar SHBA-të si “zëri i Kosovës” gjersa i ka falënderuar për ndihmën e tyre përgjatë ditëve kur Kosova ishte në nevojë.
Ndërkaq, përfaqësues të shtetit të Iowa-s kanë falënderuan Presidenten Osmani për mikpritjen, dhe e njoftuan për bashkëpunimin e mirë me komunat kosovare, duke përmendur binjakëzimin me disa prej tyre si dhe nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me disa universitete të Kosovës.