Mësimi ka një javë që ka nisur por një pjesë e nxënësve të shkollës së mesme “Sejdi Kryeziu” në Rogoçicë të Kamenicës kanë filluar të vinë tek sot.
Kjo ngase ngrohja në shkollë ka munguar me muaj të tërë ndërsa mungesa, po i vihet re më shumë në këtë kohë të ftohët të vitit.
E disa nga nxënësit, vendosën që të zgjasin pushimin dimëror.
“Javën e parë u kanë ma keq edhe me t’kallxu t’drejtën s’kemi ardh hiç, unë për vete s’kam ardh hiç se u kanë shumë ftohët edhhe veç me i malltretu nxënësit. Ashtu s’ja vlen. Këtë javë pak më mirë është”, ka thënë një nxënës i shkollës “Sejdi Kryeziu”.
Drejtori i shkollës nuk ka pranuar të deklarohet për televizionin duke mohuar problemet me ngrohjen e shkollës.
Por këtë për televizionin e ka konfirmuar Drejtoria e Arsimit në Komunë duke theksuar se problemet kanë nisur nga nëntori i vitit të kaluar.
Po, është e vërtetë se në SHMLM “Sejdi Kryeziu” në Rogaçicë nuk është mbajtur mësimi për “shkak të mungesës së ngrohjes.
Problemi me ngrohjen ka filluar në muajin nëntor. Në atë periudhë ka filluar rrjedhja e ujit nga kaldaja. Janë bërë disa intervenime, por nuk është arritur të sanohet problemi.
Më pas kemi filluar procedurat e prokurimit dhe kemi blerë një kaldajë të re për këtë shkollë. Ajo është montuar para përfundimit të gjysmëvjetorit të parë dhe, si proces, ka funksionuar mirë dhe është vënë në përdorim.
Pasi ka filluar gjysmëvjetori i dytë, janë paraqitur probleme teknike të funksionimit. Unë e di që pajisja që e bart peletin nga kutia/depoja dhe e fut brenda në kaldajë paraqet herë pas here probleme. Është intervenuar dy herë (me sa di unë), por prapë ka vazhduar i njëjti problem. Kjo ka bërë që të mungojë ngrohja. Drejtori i shkollës më ka njoftuar rregullisht, po ashtu edhe menaxheri i kontratës, për të gjitha zhvillimet dhe sipas tyre operatori do ta ndërrojë komplet pjesën e cila e furnizon kaldajën me pelet”, ka thënë drejtori i Arsimit, Afrim Dërvishi.
Kritikë për komunën kanë nga dega e Partisë Demokratike duke thënë se u tregua neglizhencë.
“Po përballen me mungesë të ngrohjes moti. Është papërgjegjësi totale e autoriteve komunale sepse ka pasur vazjdimisht probleme me ngrohje, është dashur të zgjidhen moti dhe jo kur të merren me të kur të nisë procesi mësimor. Është shqetësim i madh për ne”, ka thënë asamblisti i PDK-së, Granit Berisha.
Sipas DKA-së, mësimi është pezulluar vetëm dy ditë në një shkollë të Kamenicës në zonat e thella malore por që tani, gjendja është stabilizuar në gjithë komunën.