Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, gjasat që palët të dakordohen konsiderohen minimale

Gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për këtë siç ka raportuar mediumi gjerman, DW, duket se janë minimale. Palët kanë kundërshtime dhe qëndrime diametralisht të kundërta

Në vigjilje të takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Sërpska në veri të Kosovës.

Këtë deklaratë kryeministri Kurti e ka bërë në një intervistë për mediumin korat “Hina”, në prag të një raundi të ri të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, që mbahet më 2 maj në Bruksel, do të prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pala serbe ka prioritet formimin e një bashkësie të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, e cila është paraparë me marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2013 ndërsa Kosova, nga ana tjetër, po përpiqet ta pengojë atë komunitet të ketë kompetenca ekzekutive, duke theksuar se nuk dëshiron diçka si Republika Sërpska në BeH në territorin e saj.

Gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për këtë siç ka raportuar mediumi gjerman, DW, duket se janë minimale.

Hoxha: Jemi para fazës së shkatërrimit të marrëveshjes dhe jo para fazës së avancimit të saj

Këshilltari i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet, ka njoftuar se një ditë para takimit në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Kurti.

Kjo lidhur me takimin e dy majit, teksa ka shprehur rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”,  shkroi Chollet.

Kurti për bisedën me Chollet: Theksova rëndësinë që Marrëveshja bazë dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi

Edhe Kurti shkroi për bisedën me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet.

Ai ka thënë se gjatë kësaj bisede është diskutuar për agjendën e takimit të 2 majit në Bruksel, teksa ka theksuar rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.

“Pata një telefonatë të mirë me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet, sot, ku diskutuam agjendën e takimit të nesërm.  Theksova rëndësinë që Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, shkroi Kurti.

Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti: Nuk njihet aq puna e ekipit menaxhues

Nga Kosova paraqiten rezerva në lidhje me punën e ekipit menaxhues. Kryeministri Kurti ka thënë se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb dhe përmbajtja e statutit nuk janë siç thotë ai, “edhe aq të njohura”.

Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues.

Vuçiq: Do të prezantohet statuti

Ndryshe është qëndrimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para takimit. Ai ka thënë se Ekipi Menaxhues më 2 maj, do të prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se “nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë”.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca ekzekutive, ndërsa Kosova nuk i pranon ato.

Por, çfarë dihet dhe kush është Ekipi Menaxhues për formimin e statutit të Asociacionit?

Në vitin 2016, një vit pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan për parimet e Asociacionit, Ministria e atëhershme e Pushtetit Lokal emëroi Ekipin Menaxhues. Në atë kohë, në krye të kësaj Ministrie ishte Lubomir Mariq nga radhët e Listës Serbe. Sot, Mariq është deputet i Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe.

Mariq, i cili ishte koordinator i Ekipit Menaxhues, caktoi katër persona për të shkruar statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe: Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq, Vinko Radosavleviq dhe Svetisllav Durlleviq.

Nuk dihet nëse ky Ekip Menaxhues ka hartuar statut të ri të Asociacionit dhe kryeministri Kurti nuk ka njohuri për këtë.

“Ministri im i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka ftuar në takim Ekipin Menaxhues, por ata nuk janë përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë, e cila merret për së afërmi me këtë ekip menaxhues për draft-statutin, siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në Qeveri, para se unë të bëhem sërish kryeministër”, ka deklaruar Kurti.

Nga ana e tyre zyrtarë të BE-së nuk kanë sqaruar, nëse Ekipi Menaxhues do ta sjellë statutin e Asociacionit në takimin e 2 majit, por vetëm rikujtuan se Asociacioni është obligim i Kosovës, i pranuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 dhe se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.

“Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës ka qenë i qartë kur bëhej fjalë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Këtë e kemi përsëritur në reagimin ndaj zgjedhjeve lokale në komunat në veri të Kosovës, nevojitet urgjentisht formimi i Asociacionit”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, BE-ja e konsideron atë marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.

“Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve do të reflektohet në rrugëtimin e tyre për në Bashkimin Evropian”, ka thënë Stano.

Bashkimi Evropian tanimë ka njoftuar se është themeluar Komisioni i Përbashkët për Monitorimin e Zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit më 18 mars në Ohër.

Marrëveshja me 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë territorin, pasaportat, diplomat dhe targat.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika