Profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnović, ka bërë thirrje publike që qytetarët të ngrihen në protesta kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vučić, duke theksuar se momenti më i përshtatshëm për një kundërshtim të tillë është dita e paradës ushtarake që do të mbahet në Beograd.
Sipas tij, vetëm një reagim i drejtpërdrejtë, përballë shfaqjes së forcës së pushtetit, mund të demaskojë karakterin autoritar të regjimit. “Nëse doni të demonstroni kundër diktaturës, demonstroni atje ku diktatura manifestohet në paradën ushtarake. Demonstroni atje ku pengoni që diktatura të zbatohet, e jo atje ku asaj nuk i bëni pengesë”, deklaroi Videnović.
Ai shtoi se një paradë ushtarake e mbrojtur me kordonë policie dhe me re gazi lotsjellës do të tregonte qartë natyrën represive të pushtetit në Serbi. “Vetëm kështu zbulohet e vërteta para qytetarëve dhe para botës për atë se çfarë lloj regjimi po sundon Serbinë”, theksoi profesori.
Ivan Videnović njihet si një nga kundërshtarët më të vendosur të Aleksandar Vučićit dhe është pozicionuar fuqishëm kundër regjimit të tij, duke e akuzuar se po e çon Serbinë drejt izolimit dhe autoritarizmit.