Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se po monitoron nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë.
Sipas Prokurorisë, qëllimi është sigurimi i provave relevante, identifikimi i personave përgjegjës dhe administrimi i materialit zgjedhor në përputhje me ligjin.
“Veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis. Prokuroria do të mbetet e angazhuar për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.