Prokuroria Themelore në Pejë ka mbajtur një takim koordinues ndërinstitucional me përfaqësues të Policisë së Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë dhe Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Kryeinspektoren e Inspektoratit të Punës, Drejtoritë e Inspekcioneve komunale në rajonin e Pejës, si dhe përfaqësues të misionit të EULEX-it.
Siç bëhet e ditur në njoftim, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e cila theksoi nevojën për intensifikimin e veprimeve nga secili institucion dhe për forcimin e bashkërendimit ndërinstitucional në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.
Gjatë takimit u kërkua nga inspektorët e ATK-së, Inspektorati i Punës dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës që të shtojnë përkushtimin dhe angazhimin në inspektimin e subjekteve që janë në përgjegjësinë e tyre, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të shkeljeve të mundshme ligjore.
Në përfundim të takimit u nxorën disa konkluzione të përbashkëta, të cilat pritet të shërbejnë për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për zbulimin, ndëshkimin dhe parandalimin e veprave penale.
