Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka reaguar pas deklarimeve të Naim Rudari, avokatit të familjes së të ndjerës Bahtije Behrami, duke theksuar se Prokuroria e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme, përfshirë raportin e autopsisë, dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat tjera materiale.
Prokuroria ka arsyetuar mbylljen e rastit për mungesë provash lidhur me vetëvrasjen e Bahtije Behramit.
Megjithatë, familja dhe avokati Rudari, po akuzojnë familjen e të bashkëshortit, Berisha se ata e shtynë Bahtijen drejt vdekjes, duke theksuar se ekzistojnë një mori provash që dëshmojnë këtë.
Sipas njoftimit, nga këto veprime nuk është arritur të argumentohet dyshimi i bazuar se në veprimet e të pandehurit janë përmbushur elementet e ndonjë vepre penale.
Prokuroria sqaron se palët e pakënaqura kanë të drejtë ligjore dhe kushtetuese të ankohen ndaj vendimit, të cilën e ka shfrytëzuar edhe përfaqësuesi i familjes.
Më tej, Prokuroria i ka cilësuar këto deklarime si sjellje joetike dhe në kundërshtim me kodin e etikës, duke theksuar se ato jo vetëm që nuk i bëjnë nder sistemit të drejtësisë, por edhe rrisin dhimbjen e familjes së të ndjerës.
“Andaj deklarimet në media nga personat profesionistë veçanërisht për rastet të cilat janë në proces, nuk janë asgjë tjetër veçse tentativë për të keqinformuar opinionin publik me qëllim për të ndikuar në çfarëdo mënyre vendimmarrje nga institucionet e shkallës së dytë. Prokurori i Shtetit rikujton se deklarimet e tilla me qëllim për të keqinformuar opinion publik dhe për të ndikuar në vendimmarrje, janë sjellje jo etike dhe në kundërshtim me kodin e etikës. Deklarimet e tilla, veçanërisht nga njohësit e fushës së drejtësisë, nuk i bëjnë nder as sistemit të drejtësisë, mirëpo as familjes së të ndjerës, pasi që me deklarime të tilla vetëm sa ndikohet në dhimbjen e familjes”, thuhet në reagim.
Rudari ka bërë të ditur se nuk e pranojnë vendimin e Prokurorisë për mbylljen e rastit dhe se do të vazhdojnë procedurën me ankesë në instancë më të lartë.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 17 korrik të vitit 2024, kur Bahtije Behrami dyshohet se i dha fund jetës në luhatësen e fëmijëve të saj. Sipas familjes, ajo e ndërmori këtë akt si pasojë e presioneve nga ish-bashkëshorti i saj, Gëzim Berisha.