Prokuroria Themelore e Prizrenit ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë në fshatin Reselicë të Dragashit, ku dyshohet se një 30-vjeçar ka privuar nga jeta, nënën e tij.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari, F.B., dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë, njofton Dukagjini.
“Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur nga të dhënat zyrtare të prokurorisë, se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore, si dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit.
“Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese. Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes”, thuhet në njoftim.