Një pjesëtar i Policisë së Serbisë është arrestuar të shtunën në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “importit, eksportit, furnizimit, transportimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit ose shitjes së paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar për Dukagjinin se kërkesa është dorëzuar të dielën.
“Për personin e ndaluar, gjatë ditës së diel Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka deklaruar Preteni.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës pritet të mbahet sot.