Prokuroria shfaq komunikime të Jelena Gjukanoviqit me zyrtarë të BIA-s

Komunikime të shumta gjatë viteve 2021 dhe 2022 kishte realizuar me zyrtarë të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi, punonjësja e OSBE-së në Kosovë, Jelena Gjukanoviq. Këto komunikime janë paraqitur sot në gjykatë nga Prokuroria Speciale e cila bëri elaborimin e provave dhe tha se Gjukanoviq duhet të shpallet fajtore për akuzat për spiunazh. E akuzuara është mbrojtur në heshtje.

Në 18 sllajde te ndryshme janë paraqitur veprimet, dhe më së shumti komunikimet që punonjësja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, kishte pasur me zyrtarë të BIA-s serbe.

Prokurori special Bekim Kodraliu ka bërë elaburimin e provave në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke thënë se të gjitha vërtetojnë se Gjukanoviq ka kryer veprën penale të “spiunazhit”.

Sipas provave të PSRK-së, e akuzuara vazhdimisht kishte komunikuar me tashmë të dënuarin për spiunazh Aleksander Vllaiq, dhe raportet që hartonte në OSBE fillimisht ia kishte treguar atij dhe më pas kishe marrë instruksione prej tij.

Gjatë prezantimit të provave, u shfaqën edhe fotografi të zyrtarëve policorë të Kosovës, që e akuzuara i mbante në telefonin e saj, si dhe të punonjësve të tjerë të OSBE-së, mirëpo prokurori Kodraliu kërkoi që mediat të mos i publikojnë ato.

Para se të fillonte shpalosja e provave, palët kanë paraqitur edhe fjalët e tyre hyrëse.

Kodraliu tha se Gjukanoviq me veprimet e saj synonte të krijonte narrativë të rreme dhe armiqësore ndaj Kosovës, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

“Gjatë kohëve të fundit aktiviteti i BIA-së ka qenë në rritje veçanërisht në Kosovë, gjë që këtë rast por edhe rastet tjera që janë duke u trajtuar janë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe të rëndësishme. Prandaj, është jetike që nga ky proces gjyqësor të kuptojmë qartë rolin dhe misionin e BIA serbe e të cilin shërbim në bazë të provave që do të administrohen para jush e pandehura e ka ndihmua në veprimtarinë e tij”, deklaroi Prokurori Special, Bekim Kodraliu.

Te kundërtën e tha mbrojtësi i Gjukanoviqit, avokati Predrag Miljkoviq.

“Kjo lëndë në shikim të parë duket komplekse dhe voluminoze mirëpo kur hynë në thelb parashtrohet një pyetje e thjeshtë: a ekziston provë konkrete se e pandehura ka kryer veprën penale? Mbrojtja do ta provojë se nuk ekziston. Prokuroria në këtë aktakuzë thekson, do të thotë, akuza të rënda mirëpo nuk paraqet atë që me ligj është e obligueshme. Nuk ekziston koha e vërtetuar e kryerjes së veprës penale, nuk ekziston vepra konkrete e përshkruar”.

Mbrojtja kërkoi nga trupi gjykues që të kërkojë interpretim nga Gjykata Supreme nëse lejohet kontrollimi i telefonave mobil tek të akuzuarit pa vendim gjykate, por ky propozim u rrëzua.

Jelena Gjukanoviq edhe në këtë seancë është deklaruar e pafajshme në lidhje me akuzat e ngritura nga PSRK-ja, të cilat kanë të bëjnë me veprën penale të spiunazhit.

Të fundit nga rubrika