Prokuroria Speciale mohon ndërhyrjen në KPK

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilët pretenduan se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka ushtruar ndikim në procesin që çoi në shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Në reagimin zyrtar të datës 21 nëntor, PSRK thekson se pretendimet për ndërhyrje janë “të pasakta” dhe se as institucioni, as kryeprokurori Isufaj, nuk kanë ushtruar dhe nuk mund të ushtrojnë ndikim në vendimet që janë ekskluzivisht kompetencë e KPK-së.

Anëtarët e KPK-së kundërshtojnë shkarkimin e Besim Kelmendit: Vendimi është i jashtëligjshëm

Sipas PSRK-së, përpjekjet për ta përfshirë këtë institucion në debatet e brendshme të Këshillit “dëmtojnë integritetin e sistemit prokurorial”.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së.

Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.
Kryeprokurori, z.Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Prokuroria Speciale, riafirmon angazhimin për të vazhduar përmbushjen e funksioneve të saj me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe trasnparencë”, thuhet në reagim.

Të fundit nga rubrika