Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar rifillimin e procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut, pas një problemi teknik të evidentuar gjatë procesit të mëparshëm të numërimit.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas sqarimit nga kompania CETIS, e cila është përgjegjëse për printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë.
CETIS ka njoftuar se gabimi ka ndodhur për shkak të një defekti teknik në njërën nga katër kokat ose pllakat e printerëve me ngjyrë, që kanë për detyrë printimin e numrit të qendrës së votimit.
Kompania ka marrë përgjegjësinë e plotë për këtë defekt, duke theksuar se në rrethana normale një gabim i tillë është pothuajse i pamundur të ndodhë.
Për të garantuar transparencë dhe integritet në procesin e ri të numërimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut. Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka spjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.
Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, thuhet në njoftim.
Kompania që shtyp fletëvotimet thotë se gabimi ishte teknik, “falsifikimi i votave i pamundur”