Promovohet libri “Kur heshtja flet” – E vërteta e padukshme nga Haga

Është promovuar libri i ish-diplomatit Ahmet Shala, që flet për padrejtësitë e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Në këtë promovim të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës e kryeministri i Shqipërisë, që thanë se tendencat për ta njollosur luftën e UÇK-së, nuk do të kalojnë asnjëherë.

355 faqe që flasin për të vërtetën e padukshme nga qelitë e Hagës, aty ku tash e më shumë se 5 vjet janë duke qëndruar ish-krerët e UÇK-së.

Këtë të hënë, në mesin e shumë personaliteteve është promovuar libri “Kur heshtja flet”, me autor ish-diplomatin kosovar Ahmet Shala.

Emocionet e tradhtojnë kur merr fjalën e flet për librin dhe përvojën derisa po e shkruante.

“Ky libër nuk lindi për të qenë thjeshtë një botim, lindi si nevojë e shpirtit tim, si një ndjenjë e thellë gjatë e ndrydhur dhe si një zë që shpërtheu fare spontanisht. Nuk shkrova si akademik, por si një njeri i thjeshtë i këtij vendi…Historia jonë shkruhet dhe duhet të shkruhet nga rënkimet e baballarëve, si Haxhi Thaçi, që kur përpëlitesha t’i jepja gajret për djalin që po mbahet padrejtësisht mbi 3 mijë kilometra larg shtëpisë së tij, më tregon me dorë dhe më thotë:“Ah, ty të lumtë goja, breh Ahmet, po u zgjat shumë dhe koha po shkon…”, ka thënë Ahmet Shala – Autor i librit.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e që ky i fundit ishte i ashpër ndaj Dhomave të Specializuara për Kosovën.

“Sot jemi në kushtet, kur ka marrë formë thuajse përfundimtare, pasi fjalën e fundit e ka gjykata, një plan shumë afatgjatë, i cili ka nisur me raportin famëkeq që mos të gjet kurrë prehej aty ku është Dick Marti për trafikim të organeve nga udhëheqja e UÇK-së. Dhe ai plan është shtyrë përpara nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës. Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar dhe këtë gjë nuk e dini. Unë po e them për herë të parë sot, sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të presidentit të Kosovës se do të kërkonin edhe aty prova të krimeve kundër njerëzimit”, ka thënë Edi Rama- Kryeministër i Shqipërisë.

“Historia nuk flet domosdo gjithmonë me zë të lartë. Ai na sjellë përballë të vërtetën e Hagës, takimet me ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe vizitat duke kthyer heshtjen në zë të fuqishëm. Ky libër trajton jo vetëm rrëfimin personal të Shalës, por edhe gjykimin e padrejtë që po bëhet ndaj vetë proceseve tona jetike. Në libër përshkruhen pasojat e luftës nga masakra të shumta, plagë që koha nuk i shëron”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.

Aty nuk kishin se si të mungonin familjarë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

“Ti znj.Tromp ke dhënë më shume për këta burra më shumë se sa institucionet e Kosoves.. Ju uroj nga zemra qe të vazhdon të shkruash dhe drejtësia të vihet në vend dhe clirimtarët te kthehen në vend”, ka thënë Sevdije Krasniqi – Bashkëshortja  e Jakup Krasniqi.

E në emër të qeverisë së Kosovës, foli ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, i cili tha se libri synon të ruajë historinë e Kosovës nga tentativat për ta rishkruar atë.

“Është një libër që synon të ruajë historinë tonë nga tentativa për ta rishkruar atë. Jam i bindur se asnjë proces gjyqësor dhe asnjë tentativë për të dënuar nuk do arrijë të bëj dhe as të ndryshojë natyrën e luftës sonë. Do të mbetet humane, e drejtë dhe e pastër, kurse karakteri i luftës sonë do të mbetet gjithmonë çlirimtare”, ka thënë Ejup Maqedonci – Ministër i Mbrojtjes.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës për rastin e Sllobodan Millosheviqit, Nevenka Tromp e kryetari i BDI-së në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmet e u dëgjuan edhe video mesazhe nga figura me peshë në politikën amerikane.

Të fundit nga rubrika