Kompania kineze ByteDance, pronare e rrjetit social TikTok, ka nënshkruar marrëveshje detyruese me investitorë amerikanë dhe ndërkombëtarë për shitjen e shumicës së biznesit të TikTok në Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar drejtori ekzekutiv i kompanisë, Shou Zi Chew, në një memorandum drejtuar punonjësve.
Sipas marrëveshjes, 50 për qind e sipërmarrjes së re do të jetë në pronësi të një grupi investitorësh që përfshin kompanitë Oracle, Silver Lake dhe fondin investues emiratas MGX. Marrëveshja pritet të përfundojë më 22 janar.
Kjo marrëveshje i jep fund përpjekjeve disa vjeçare të Uashingtonit për ta detyruar ByteDance-in të shesë operacionet e TikTok në SHBA, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme mbi sigurinë kombëtare.
Sipas ndarjes së pronësisë, ByteDance do të mbajë 19.9% të aksioneve, ndërsa Oracle, Silver Lake dhe MGX do të kenë nga 15% secila. Një tjetër 30.1% do t’u takojë filialeve të investitorëve ekzistues të ByteDance-it.
Në memorandum, TikTok thekson se marrëveshja do t’u mundësojë më shumë se 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë përdorimin e platformës “si pjesë e një komuniteti global jetik”.
Shtëpia e Bardhë kishte bërë të ditur më herët se Oracle do të licencojë algoritmin e rekomandimeve të TikTok, si pjesë e marrëveshjes. Oracle u bashkëthemelua nga Larry Ellison, një mbështetës i njohur i presidentit amerikan Donald Trump.
Marrëveshja vjen pas vonesash të shumta. Në prill të vitit 2024, gjatë administratës së presidentit Joe Biden, Kongresi amerikan miratoi një ligj që parashihte ndalimin e TikTok, nëse platforma nuk shitej. Ligji duhej të hynte në fuqi më 20 janar 2025, por zbatimi i tij u shty disa herë nga Trump, ndërsa administrata e tij negocionte marrëveshjen e shitjes.
Trump kishte deklaruar në shtator se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, i cili, sipas tij, kishte dhënë miratimin për marrëveshjen.
Shtëpia e Bardhë, e kontaktuar nga BBC, e ka referuar çështjen te TikTok, ndërsa Oracle ka refuzuar të komentojë.