Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Hamasit një propozim të ri që parashikon lirimin e të gjithë 48 pengjeve izraelite të mbetura, në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm dhe ndalimit të operacionit të ushtrisë izraelite (IDF) për marrjen nën kontroll të Gazës. Lajmi është bërë i ditur për Axios nga një zyrtar i lartë izraelit.
Sipas planit, Izraeli do të lironte midis 2.500 dhe 3.000 të burgosur palestinezë, përfshirë qindra të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e izraelitëve. Pas shpalljes së armëpushimit, do të nisnin menjëherë negociatat për kushtet e përfundimit të luftës, që përfshijnë kërkesën izraelite për çarmatimin e Hamasit dhe, paralelisht, kërkesën e Hamasit për tërheqjen e plotë dhe përfundimtare të IDF nga Rripi i Gazës.
Propozimi parashikon që, në rast të një përgjigjeje pozitive, presidenti amerikan Donald Trump do të angazhohej drejtpërdrejt për përfundimin e konfliktit, duke garantuar armëpushimin deri në mbylljen e bisedimeve.